Lajme Lajmi Kryesor

Zbulohet mashtrimi i Enver Hoxhës për demarkacion. Me 2011 E. Hoxhaj: Jemi marrë vesh me Malin e Zi, se kufiri është në Çakorr!

Komunikata e plotë e Ministrisë së Punëve të Jashtme e vitit 2011:

Përkrahje reciproke mes Kosovës dhe Malit të Zi në proceset integruese

Prishtinë, 26 maj – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj priti Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Republikës së Malit të Zi, Milan Roćen.

Dy ministrat kanë biseduar për tema të ndryshme me interes të të dyja shteteve, me theks të veçantë për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për proceset e përbashkëta integruese të dy vendeve fqinje.

Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun malazez për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi, vetëm një ditë pas shtrimit të pyetjes për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Hoxhaj ka thënë se edhe vizita e sotme e Ministrit Roćen në Kosovë ndodhi në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën, kohë kur bashkëpunimi rajonal dhe integrimet evropiane në Kosovë, në Mal të Zi dhe rajon janë prioritet për të gjitha vendet.

Ministri Hoxhaj ka bërë të ditur se gjatë takimit me Ministrin Roćen është biseduar për përkushtimin e Republikës së Kosovës që komuniteti malazez në Kosovë të përcaktohet në Kushtetutë. “Me ndryshmet kushtetuese që do të ndodhin gjatë vitit 2011-2012, komuniteti malazez do të jetë komunitet i njohur përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se me ministrin Roćen është biseduar për lidhjen e marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve në fushën e riatdhesimit të të shpërngulurve, të cilat pritet të nënshkruhen në fund të muajit qershor.

“Biseduam dhe për një marrëveshje bazike për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, për hapjen e një vendkalimi të ri kufitar në Çokorr, që do të mundësonte lëvizjen e njerëzve mallrave dhe ideve. Po ashtu, kemi biseduar për çështjen e lëvizjes së qytetarëve vetëm me letërnjoftim në mes të dy vendeve tona, që do ta forconte shumë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe do ta ndihmonte bashkëpunimin”, bëri të ditur Ministri i Jashtëm i Kosovës.

Në anën tjetër, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Milan Roćen, ka thënë se njohja e Republikës së Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk ka qenë vendim i drejtuar kundër askujt, por ka qenë në interesin më të mirë të Malit të Zi dhe në interes të Kosovës dhe popullit të saj.

Ai ka shprehur vullnetin e Malit të Zi për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me Kosovën, në shërbim të integrimeve të përbashkëta euroatlantike

“Jemi marrë vesh për lidhjen e një varg marrëveshjeve që do të pasojnë, pasi që ne dëshirojmë që të forcojmë edhe bazën juridike të bashkëpunimit tonë. Muajin e ardhshëm Ministri Hoxhaj do të marrë pjesë në kartën e Adriatikut në Mal të Zi dhe shpresoj se deri atëherë do të nënshkruajmë disa marrëveshje bilaterale për riatdhesimin, regjistrimin e të shpërngulurve në regjistrin civil të Kosovës, marrëveshjen për krijimin e kushteve për kthimin e të shpërngulurve dhe disa marrëveshje në lëmin ekonomik, siç është marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë, për zhvillimin e turizmit dhe një varg marrëveshjesh të tjera”, ka thënë Ministri i Jashtëm malazez.

Roćen ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për të gjitha aktivitetet e deritashme dhe planet për rregullimin e statusit të bashkësisë nacionale malazeze në Kosovë.

“Ne vërtetë do të dëshironim që pjesëtarët e bashkësisë malazeze të kenë atë respektim dhe mbrojtje çfarë e kanë shqiptarët në Mal të Zi dhe që pjesëtarët e bashkësisë malazeze ta përjetojnë Kosovën si shtet të vetin, siç veprojnë shqiptarët në Mal të zi”, ka thënë Roćen.

Lidhur me shkëmbimin e ambasadorëve ndërmjet dy vendeve, Ministri Roćen ka thënë se mos realizimi i kësaj çështje nuk ka ndikuar fare në dinamikën e raporteve mes dy shteteve dhe se kjo nuk ka të bëjë aspak me çështje politike, por me vështirësi ekonomike dhe buxhetore.

“Ne planifikojmë që vitin e ardhshëm të hapim Ambasadën në Prishtinë, ashtu siç Kosova do ta ketë Ambasadën në Podgoricë “, tha Roćen.

Rreth çështjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dy ministrat kanë bërë të ditur se kjo çështje pritet të adresohet deri në fund të këtij viti, në mes të komisioneve shtetërore të dy vendeve.

Lidhur me idetë për ndarjen e Kosovës, Roćen ka thënë se ka kaluar koha e ndarjeve dhe koha e vizatimit të kufijve të ri në hapësirat e Ballkanit.

“Të gjithë ata që ëndërrojnë kështu në Serbi, Kosovë, Mal të Zi apo Shqipëri, humbin kohë kot”, ka thënë Roćen.

Kurse, sa i përket çështjes së Strategjisë për lobim për njohje, Ministri Hoxhaj ka thënë se kjo Strategji është e përfunduar dhe se së shpejti do të shtrohet për miratim në Qeveri.

http://www.mfa-ks.net/?page=1%2C217%2C782

Shpërndaje:
Loading...

Lajme të ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *