Analiza Ballina

Trashëgimia e EULEX-it!

Dren Dushi

Kur të ketë kaluar një kohë nga përfundimi i misionit politik EULEX, Nazim Bllaca do të jetë “shpëtuesi” i vetëm i këtij misioni. Bllaca, qe ai i cili i dha dëshmi, fakte, emra, incizime e informacione tjera që domosdoshmërisht do çonin në arrestimin e disa kriminelëve, vrasës që luftonin për pushtete të ndryshme, por esencialisht, luftonin për pushtet politik. Bllaca, u bë simbol i kriminelit, por edhe i luftës ndaj kriminalitetit, ai ishte njeriu që tregoi të vërtetën, ai e vendosi misionin politik para aktit të kryer, dënimin e një pjese të vogël të atyre që Kosovën e bënë të pajetueshme për rininë, qytetarinë që nuk është mësuar me sundimin e “ligjit të egërsisë”.

Vështruar nga pozicioni optimist, EULEX-i pavarësisht konstatimeve të më sipërme, arriti të dënoj me disa dekada burg këtë grup kriminelësh, gjyqësia jonë vështirë se do e bënte një gjë të tillë, por fundja, ky mision ishte plasuar në Kosovë de-jure për të ndihmuar gjyqësinë tonë, e cila le që nuk frikëson dot kriminelët,  por përkundrazi, frikësohet shumë nga kriminelët. Një konstatim i tillë nuk është i çuditshëm, kriminelët në Kosovë janë shumë të fuqishëm, pjesa më e madhe e tyre janë vet shteti.

EULEX-i i suksesit, do të ishte EULEX-i i cili do ndryshonte këtë gjendje në Kosovë, kriminelët qofshin ata të partive të mëdha politike, qofshin “lëshuesit pe” në negociata, qofshin servilë ndërkombëtarësh, do duhej të dënoheshin, të kapen, kujtojmë fjalët boshe “peshqit e mëdhenj”. Por kjo nuk ndodhi, përkundrazi, EULEX-i, përjashtuar Bllacën që siç duket ia prishi ca rehatinë, na tregoi të gjithëve se këtu në Kosovën tonë të mjerë, të papunësisë, të egërsisë, nuk ishte nisur me qëllim ndihmimin ndaj popullsisë tonë; çlirimin e shoqërisë nga “feudët” e egër që Kosovën e përjetuan si plaçkë lufte, por thjeshtë; ishin nisur këtu që të ndihmojnë procesin negociues me Serbinë.

Logjika do ishte e thjeshtë; Serbia ka kapacitete më të mëdha ekonomike, politike e intelektuale, Kosova ka të drejtën morale, por kur ka pasur e drejta morale rëndësi në përcaktimin e politikës ndërkombëtare? Misioni politik EULEX, do mbledhë të dhëna krimesh, zhvatjesh, rrahjesh, vrasjesh, uzurpimesh,  madje pjesën më të madhe të tyre do i ketë të mbledhura nga shërbimet informative të KFOR-it dhe shteteve që e dërguan, dhe pasi ta ketë klasifikuar tërë këtë material të mjaftueshëm për të shkaktuar kaos politik në Kosovë, do e përdorë si mjet shantazhues ndaj politikanëve të bërë milionerë brenda pak muajsh në Kosovën e UNMIK-ut, si Misioni i parë.

EULEX-i mund të mos ketë pasur sukses për atë çfarë thotë se është; sundimin e ligjit, por si mision politik, ka qenë mision i suksesshëm, sidomos në cenimin dhe copëtimin e territorit të Kosovës. Ky mision, përmes shantazhit ndaj disa politikanëve të korruptuar shqiptarë, të shfrenuar nga evolucioni që pësuan (prej të qenit çoban në të qenit institucion), arriti të decentralizoj Kosovën, të copëtoj strukturën e komunave, ku çdo lagje serbësh krijoj nga një Komunë. Veriu i Kosovës u bë i pa prekshëm nga shteti i Kosovës, Asociacioni i Komunave serbe u projektua, u mbështet nga të shantazhuarit, bashkë me demarkacionin i cili krijoi krizë politike nga e cila Kosova ende nuk ka dalur.

Pengesat e vetme të këtij Misioni politik qenë opinioni publik, ca deputetë që u ndëshkuan dhe një parti politike; Lëvizja Vetëvendosje. Vetëvendosje, e kundërshtoi vazhdimisht Asociacionin, demarkacionin, decentralizimin, dhe shumë shtypje që i’u bënë popullit të Kosovës nga shantazhuesit dhe të shantazhuarit. Kur EULEX-i pa sheshet e mbushura me qytetarë, të cilët jepnin sinjal se Kosova nuk han barë, Misioni politik kaloi pakëz në heshtje, tash që po i afrohet përfundimit të mandatit, ky Mision do mbahet mend vetëm për bakshishet ndaj kamerierëve simpatike të kafenesë “Soma” dhe N.Bllacës, si dy “suksese”.  Por Misioni politik do vazhdoj në një formë tjetër, këtë herë me Trendafilova-n, një grua në prag të pensionit, e cila do na jap lajme rreth Gjykatës Speciale, mbase do ketë ndonjë Bllacë të ri, ta shpëtoj edhe këtë mision, apo mbase ky Mision do përfundoj procesin negociues mes Kosovës dhe Serbisë, por sundimi i ligjit, vështirë se do realizohet.

Shpërndaje:
Loading...

Lajme të ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *