Poezi

Po të betohem Ibrahim Rugova, shpejt ka me ardhë pranvera e bijat e Teutës në Risanë kanë me vallëzu

Po të betohem Ibrahim Rugova, qashtu ka me qenë
Zoti i madh m’ndihmoftë

Boris Maruna

Letër Ibrahim Rugovës

Nuk dij shum për Ty, Ibrahim Rugova
Por kah i lexoj poetët modern arabë
E kuptoj Isam Mahfouzin kur thotë:
Fundi i tregimit tem asht
I ftofët
Si mbetjet
N’sofër
E kjo m’ban me mendu n’Ty
Me mendu n’shtatëmbdhetëvjeçaren Ylfete Humolli
Të shtrime n’tavolinën e spitalit n’majicë e farmerka
Me t’kuqët diskret t’gjakut n’lule t’ballit
Për t’cilën njejt s’di gja
Veç e dij se duhet me qenë nji kusherinë e jonja e largët
T’cilës as unë e as ti nuk do t’ia prekin asnjiherë
Fletat e lulëzume t’krahnorit
Fëmijë i humbun i kësaj kohe
I ftofët si mbetjet n’sofër
I akullt si dora e këputun e martirit t’krishtenë
Si me qenë
Antonin Artaud, i dekun
Tu marrë frymë
Po kjo s’ka mundësi me qenë fundi i tregimit tand
Ti mos praj as mos u ndal, Ibrahim Rugova
Edhe gjaku ka me dalë edhe ’iherë prap ma i fortë se metali
Kudo kjofshim prej zemre t’Ylfetes ka me u rritë
Fleta e dafinës për Ty e për mu
Ndonëse tash asht dimën po të betohem
Shpejt ka me ardhë pranvera e vera
E bijat e Teutës në zallin e Risanës
Kanë me vallëzu deri n’agim
Po të betohem Ibrahim Rugova, qashtu ka me qenë
Zoti i madh m’ndihmoftë

Përkthye e kthiellue nga Shkumbin Brestovci

Shpërndaje:
Loading...

Lajme të ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *