Shqipëria

Ju dhe Qeveria, me aktin e dënueshëm të votimit kundër SHBA-ve, keni prishur pozitën e Shqipërisë, Kosovën, shqiptarëve në Maqedoni, Mal te Zi, Preshevë…

Letra 

TRITAN SHEHU 

ZOTI MINISTËR I JASHTËM!

Po ju shkruaj publikisht disa radhë, në pamundësi për t’ju drejtuar direkt në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit, për të vetmen arsye sepse ju keni evituar të shkëmbeni mendime me atë, edhe mbas kërkesës unanime të atij institucioni prestigjioz. Kjo ka ndodhur për çështje thelbësore te politikës së jashtme, konkretisht për marrëdhëniet e rëndësishme me Greqinë, si dhe në lidhje me qëndrimin tuaj negativ ndaj vendimit të Presidentit Trump për të transferuar në Jerusalemin Perëndimor Ambasadën Amerikane, bazuar kjo në një rezolutë të Kongresit Amerikan të 1995. Në fakt, në këtë publikim do të përqendrohem në çështjen e dytë, për të parën do t’ju shkruaj më tej, n.q.s ju nuk do të ndërroni qëndrim ndaj atij Komisioni. Që në fillim, dëshiroj t’ju përsëris atë që ju thashë në seancën plenare të Kuvendit se, ju dhe Qeveria që përfaqësoni, me ato akte të dënueshme votimi, e keni venë në një pozitë shumë të vështirë Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në Maqedoni, Mal te Zi, Preshevë e kudo ku ata jetojnë, së pari, përpara mbështetësit tonë të madh dhe thelbësor, ShBA-se. Siç duket, ju keni “harruar” se arritjet e mahnitshme që kombi ynë ka kapur në këto 25 vitet e fundit, arritje që asnjë popull në rruzull nuk i ka prekur në këtë hark kohor, janë të lidhura pazgjidhshmërisht me mbështetjen e pakufi që ai vend, simbol i vlerave universale, na ka dhënë. Së dyti, e njëjta situatë është krijuar për në edhe përpara çdo shteti, kombi, qeverie, për të cilët ka vlerë mirënjohja, besnikëria, qëndresa. Të jeni i bindur se, tashmë, qeverinë tuaj nuk e besojnë më edhe ata, që ndoshta ju shtynë apo ju “këshilluan” për ato votime mosmirënjohëse e devijimi.
Ndërsa, për atë se si i konsiderojnë qëndrimet tuaja ShBA-të, nuk më takon mua t’jua qartësoj, atë e kane artikuluar pa ekuivokë paralajmërimet në vigjilje të Presidentit Trump dhe të ambasadores Haley, të cilat Qeveria jonë nga megalomania, aventurizmi politik apo diçka tjetër, i hodhi në kosh. Më tej, për t’u bindur, mjafton të lexoni edhe çfarë DASH apo Haley publikuan mbas votimit në OKB.
Natyrshëm, më duket e kotë mbas këtyre që parashtrova, t’ju pyes se përse ju nuk morët në konsideratë atë çfarë ju është thënë në seancën plenare të Kuvendit mbas implikimit tuaj të gabuar e të panevojshëm në OKI (Organizata e Kombeve Islamike), pse nuk erdhët në Komision e pse anashkaluat Presidentin! Kështu, në këtë spirale negative, qeveria juaj i përsëriti këto akte absurde dy herë, në një distancë të shkurtër kohore, në OKI e më tej duke bërë gabimin fatal në Asamblenë e OKB. Kjo duhet të analizohet në një kontekst më të gjerë të veprimeve të Qeverisë suaj, në qëndrimet rajonale, me fqinjët, në partneritet strategjike, në afektimin e marrëdhënieve tona ndërkombëtare nga kanabisi e heroina etj., që janë larg interesave tona, rrugës sonë drejt Perëndimit.
Pra, çështjet që unë do të desha të ballafaqoja me ju zoti Ministër janë të shumta, shqetësuese, jo vetëm për politiken tonë, të ardhmen tonë europiane, si të vetmen alternativë historike që ne kemi, por edhe për partnerët tanë strategjike perëndimore, përfshi këtu SHBA, por jo vetëm, të cilët më shumë apo më pak ndiejnë edhe konkretisht e realisht peshën e problemeve tona, qoftë dhe direkt në territorin e tyre, mbi stabilitetin e tyre. Sidoqoftë, nga e gjithë kjo mori problemesh që keni krijuar në këto 4,5 vite qeverisje, unë sot dua ta vazhdoj këtë shkrim me njërin prej tyre, i lindur tashti së fundmi nga gafat e mësipërme të politikës suaj të jashtme, me një domethënie të madhe politike e përkatësie:
Zoti Ministër, ju, si Qeveri e Shqipërisë, vërtet e njihni Jerusalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës dhe jo së paku atë Perëndimor të Izraelit!? Ju deklaroni se jeni për dy shtete të lira në atë rajon, Izraeli e Palestina, gjë që është thellësisht e drejtë, e vetmja zgjidhje afatgjatë për atë konflikt tragjik. Kjo ka qenë që prej vitit 1992, linja e mençur e vendit tonë, pavarësisht nga ngjyrat e qeverisjes te ne, e bashkangjitur kjo me vendosmërinë për të ndjekur hap mbas hapi politikën zyrtare amerikane aty, si të vetmen garant për paqen e stabilitetin në atë rajon të komplikuar, larg nesh e dimensioneve tona. Dhe këtë linjë esenciale për ne, ju e shkelet pa asnjë konsultë të brendshme, duke shkuar kështu drejt reminishencave tona të diktaturës. Përgjegjë- si e juaja e madhe kjo! E keni bërë këtë nga padituria e institucionit tuaj, nga protagonizmi absurd i Rilindjes apo për “interferenca” të tjera, kjo ngel për t’u diskutuar e vëzhguar.
Por, një gjë është e sigurt, ju keni shkelur në një “dërrasë të kalbur”, duke rrezikuar rëndë interesat tona kombëtarë të përgjithshme. Ju, Zoti Ministër, duke miratuar Rezolutat në OKI, shkoni shumë larg. Në nenin 6 të tyre kërkoni të përjashtoni SHBA si interlokutor nga ai rajon, gjë që kurrë as mund të ndodhe dhe as është kërkuar e as mund të kërkohet nga Brukseli, mbas të cilit fshiheni. Më poshtë, me Nenin 8 të po atyre Rezolutave, “ngatërroheni” edhe më keq. Ju vendosni të njihni si kryeqytet të Palestinës Jerusalemin Lindor, një çështja kjo ë “komplikuar”, edhe për vetë faktin e përkatësisë aktuale të asaj pjesë, për të cilën edhe BE nuk ka dhënë asnjë konsideratë. Më tej, ju bëheni pjesë e thirrjes për të vendosur aty përfaqësitë diplomatike në atë vend e angazhoheni për të lobuar për këtë qëllim.
Nga ana tjetër, me aprovimin e atyre Rezolutave, ju i “hiqni” të drejtën ShBA-ve për të çuar ambasadën e tyre në pjesën perëndimore të Jerusale mit, ku janë institucionet kryesore të Izraelit, duke mos e pranuar kështu “de facto” edhe atë pjesë për kryeqytet të tij. Ngatërresë e madhe kjo për “shpatullat” e qeverise suaj, që fatkeqësisht, më tej rëndohet sa një mal, gjë që unë ju kisha paralajmëruar. Mbas votës në OKI, ju votuat në Asamblenë e OKB pro ndaj një tjetër rezolutë, që godiste, pikërisht atë vendim të një vendi sovran, SHBA (mund të mos votonit fare apo të abstenonit siç bënë edhe disa vende të BE; në fakt duhej vota negative nga ne).
Pra, kështu ju rikonfirmuat edhe në atë instancë të lartë qëndrimin e dytë, për të mos njohur Jerusalemin a pjesën perëndimore të tij si kryeqytet të Izraelit. E përsëris, vetëm pak ditë më parë në OKI, duke miratuar Rezolutat, ju njohët Jerusalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës dhe bëni thirrje në atë për vendosjen aty të përfaqësive diplomatike në atë vend! Çështje thelbësore kjo, për të cilën duhet të qartësoni jo vetëm Komisionin, por edhe opinionin publik e partnerët tanë. A mos vallë kështu po c’bëhet të qeveria juaj edhe koncepti i dy shteteve me dy kryeqytete aty, duke “harruar” Izraelin? N.q.s jo, tashmë që njohët Jerusalemin Lindor si kryeqytet të Palestinës, cili duhet të jetë sipas jush kryeqyteti i Izraelit? Duhen përgjigje për ketë dhe për hapat e mëtejshme që do të ndiqni.
Megjithatë, tashmë që keni “shkuar kaq larg”, z. Ministër, unë po ju këshilloj një rrugëdalje pragmatike; e kuptoj, nuk është idealja. Ne Kuvend, mbas fjalës sime, ju thatë nëpër dhëmbë se nuk i keni miratuar Rezolutat e OKI.
Në fakt, formalisht nuk është ashtu, se miratimi i tyre ndodhi automatikisht nga prezenca pa objeksione e ambasadorit tonë në atë Konferencë e Samit (për të mos përmendur fjalën e tij….para ministrave të Jashtëm të atij organizmi). Sidoqoftë, edhe një distancim i tanishëm publik nga Rezolutat e OKI, ndoshta mund të jetë një rrugëdalje për ju, duke “sakrifikuar” ambasadorin tonë në Ankara, nën argumentin që ishit të “papërgatitur” në Tiranë. Ndërsa, për votën kundër SHBA-ve në Asamblenë e OKB, nuk shoh asnjë rrugëdalje të tillë.
Çështja ishte bërë publike qartësisht. Presidenti i SHBA-ve e Ambasadorja e tij aty ishin shprehur pa asnjë lëkundje për të mos e votuar atë Rezolutë, në fakt jua kishin kërkuar me insistim mbështetjen. Jam i bindur që edhe ambasadoren tonë aty, atë ditë votimi, të “pabesë”, “Tirana” e ka vendosur në një pozitë shumë të vështirë, jo vetëm ndaj aleatit tonë të madh, por edhe ndaj ndërgjegjes së saj. Sidoqoftë, tashti, ju z. Ministër, ose më mirë z. Kryeministër, duhet të sqaroni pozicionin zyrtar të Qeverisë sonë së paku për Kryeqytetet e Palestinës e Izraelit, kjo mbas dy votimeve krejt të gabuara që realizuat në OKI dhe në OKB.
Dhe diçka të fundit, do t’ju kërkoja të mos bini viktimë e “këshillave” të ndonjë prej vartësve tuaj, që duke mos arritur të sintetizojë, deklaron në media se ministri apo Ministria e Jashtme nuk është e detyruar të konsultohet me Komisionin e Jashtëm të Kuvendit!! Ju lutem, mësojuani atyre, siç kam bërë unë, se ne demokraci, e veçanërisht në një diplomaci të tillë, ka edhe disa norma të pashkruara, që shpesh vlejnë më shumë se ligjet vetë.
Sinqerisht,
Tritan Shehu
Nkryetar i Komisionit të Jashtëm të Kuvendit.
Ish-ministër i Jashtëm.

/Gazeta Express/

 

Shpërndaje:
Loading...

Lajme të ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *