Ballina Lajme

Heshtje nderimi për Presidentin Rugova, Enver Malokun dhe Xhemajl Mustafën

IDRIZ ZEQIRAJ

     Nëndega e LDK-së në Mynih, me kryetar Isuf Qetaj; Qendra Kulturore “Rilindja” në Mynih, më kryetar Bekim Gërvalla; Shoqata Kulturore Humanitare “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, me kryetar Osman Ferizi, organizuan Akademi Përkujtimore për Presidentin Rugova dhe bashkëpunëtorët e Tij, Enver Maloku e Xhemajl Mustafa. Pjesëmarrja masive e mërgimtarëve në këtë Akademi, dëshmon se Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, me shokët, tashmë, të ekzekutuar nga shqipfolës, spiunë të Serbisë, jo vetëm nuk harrohen, por adhurohen e vlerësohen, në masën që e meritojnë, nga Mërgata dhe populli shqiptar anekënd Globit. 

      Garda e vjetër e mërgimtarëve, të prirë nga Nikollë Skeli, Isa Bilalli, me shokë, nga Rosenheimi, Hysen Bicaj, Emrush Tafa, me shokë, nga Nurnbergu, Mehmet Kokaj, Demë Qeta e Elez Shehu nga Mynihu, Fazli Gashi e Musa Hamzaj nga Starnbergu, Osman Ferizi me anëtarësinë e Shoqatës dhe grupin artistik të fëmijëve nga Pfaffenhofeni; Jakup Gërguri nga Republika e Nordheim Westfallen-it, një rrugëtim prej 1.400 km, ardhje-kthim dhe veprimtarë të tjerë të shumtë, të cilët, pritësit organizatorë nuk i njihnin shumë me emër.


Kryetari i Nëndegës të LDK-së në Mynih, Isuf Qetaj

     Intonimin e Flamurit kombëtar dhe Dardan, grupi artistik i fëmijëve nga Shoqata “Sali Çekaj”, e nderoi me përcjellje e heshtje. Moderatorja e talentuar, Fatbardha Nikçi, e hapi Akademinë, duke përshënndetur dhe falenderuar të pranishmit, për pjesëmarrje numerike. Në skenë ftoi anëtarin e Kryesisë të Degës të LDK-së në Gjermani dhe kryetarin e Nëndegës të LDK-së në Mynih, Isuf Qetaj, i cili i përshëndeti mysafirët Hysen Çekaj, djali i heroit Sali Çekaj; kryetarin e Nëndegës të LDK-së në Nordheim Westfallen, Jakup Gërgurin; Familjet e dëshmorëve; veprimtarët e ditëve të para, që ende nuk na ndahen, si dhe të gjithë të pranishmit.

     Në vijim, ish ushtari i Kosharës dje, kryetar i Nëndegës të LDK-së, në Mynih, sot, Isuf Qetaj, tha se “sa herë i përkujtojmë atdhetarët e shquar, si Presidentin Rugova dhe bashkëpunëtorët e Tij besnikë, si Enver Malokun, Xhemajl Mustafën dhe të tjerët, gjithmonë urojmë për fatin që patëm, si popull, që Zoti na i dërgoi këta njerëz, në kohën më të vështirë për Kosovën. Orientimi kah Perëndimi, duke mbajtur distancën e duhur me Lindjen, një traditë kjo, e trashëguar nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Drejtëpeshimi dhe mirëorientimi i Dr. Ibrahim Rugovës, prodhoi miqësinë me Qendrat e Vendosjes Politike Botërore dhe, në veçanti, miqësinë e përhershme me SHBA dhe shpresën për integrimin e Kosovës në NATO-paktin dhe në Bashkimin Evropian”, – tha kryetari Qetaj.


Grupi artistik i fëmijëve i Shoqata “Sali Çekaj” nga Pfaffenhofeni

     Grupi artistik i fëmijëve shkollarë, nga Shoqata “Sali Çekaj”, në Pfaffenhofen, të përgaditur nga anëtarët e kësaj Shoqate: Gazmend Dashi, Shemsi Haziri, Shaban Muli, Rafet Muli, shkëlqeu me recitimin e poezive, të shkruara enkas për këtë Akademi, nga poetët Sylë Bajrami, Gazmend Dashi. Voglueshja Rijana Muli, u prezantua suksesshëm me “Lutjen e Rugovës Zotit, pas luftës”.


Veprimtari veteran i Mërgatës, Naim Gashi

     Moderatorja Fatbardhë, fton veprimtarin veteran të Mërgatës, Naim Gashin, për të referuar për jetën dhe veprën madhore të Presidentit Rugova:

      “Unë do të flas për një burrë të Dardanisë, për një intelektual, që kishte tejkaluar përmasat kombëtare dhe hyri në radhën e intelektualëve e filozofëve politikë më të spikatur të Europës postkomuniste e më gjerë.

E kujtojmë emërbardhin e Abrahamit hyjnor, udhërrëfyesin gjithëkund të mirëpritur e të nderuar, shpresën optimiste për triumf e prosperitet, urtakun profetik, e liderin nacional e shpirtëror, politikanin më karizmatik, që ka pasur kombi shqiptar, jo vetëm në Gadishullin Ilirik, presidentin e parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

    Lindi ne acarin 2 dhjetorit të vitit 1944, e në muajn mars 1945 mbeti jetim, pa baba e gjysh, Ukë e Rrustë  Rugova, të cilët, komunistët jugosllavë i ekzekutuan barbarisht. Kosovën e pllakosi zia, ra nën pushtimin e egër serbo-sllavë.

    Si djalë i vetëm i nënës Sofë, shkollën e filloi me vonesë, por i arriti me kohë të gjitha, ngadalë e sigurtë, si në filozofinë tradicionale shqiptare.

Si student i përkushtohet letërsisë. Punoi shumë e foli pak.

     Vitin 1988, doktor Ibrahim Rugova ishte kryetar i LSHSHK. Dhe, ajo kryesi e kësaj Shoqate bëhet bërthamë e lëvizjes shqiptare, që me humanizëm e demokraci, me gjuhë të fakteve e urtësi shkencore, i kundërvihet represionit, memorandumeve gjenocidiale, hegjemonisë e dhunës institucionale.

     Më 23 dhjetor1989, doktor Ibrahim Rugova zgjidhet kryetar i LDK-së, parti  e parë politike, e formuar në Kosovë, që sfidon regjimin komunist jugosllav, me veprim legal politik. Per herë të parë në historinë e popullit shqiptar, në përgjithësi, Ibrahim Rugova personifikon unitetin politik të shqiptarëve, jashtë Shqipërisë politike, me kauzën e tyre politike, për liri e vetëvendosje.

Moto e Rugovës dhe LDK-së ishte;

Liri, Pavarësi, Demokraci.

Kjo kërkonte kohë, durim, sakrificë e shumë punë.

Kryetari Rugova e Kryesia e LDK-së hartuan programin partiak të realizueshëm e pragmatik, kurse programi kombëtar ishte dhe mbeti ai i Lidhjes së Prizrenit i vitit 1878.

      Studjuesi i Pjetër Bogdanit dhe specializanti i Prof. Robert Barthes-it, ishte unikat në veprim. Aplikon rezistencën aktive paqësore, mosdëgjushmërinë kolektive, refuzimin estetik të dhunës, veti më fisnike që posedon si njeri dhe President i Kosovës. Me përkushtim, me zell, urtësi, diciplinë e stoicizëm, krijon pushtetin paralel, i vecantë dhe i paprovuar ndonjëherë nga të tjerët, në këto hapësira europjane.

Dikush e quajti Gandi i Ballkanit, dikush Martin Lutër King, dikush Mojsi, që endej në shkretëtirë, me apostujtë, duke kërkuar tokën e premtuar. 

     Por, ai ishte dhe mbeti i vecantë, si burri me shall rreth qafe e hallin e Kosovës në zemër e kokë. Unikat në mendim e veprim.

Ai ishte më shumë se një president, një burrështetas dhe lider politik, që karakterizohej me vizionin e tij politik e profetik, me kulturën, mençurinë dhe urtësinë e tij permanente politike, si dhe vendimet  e tij historike shtetformuese. Gjithë dijen dhe angazhimin e vet ia kushtoi internacionalizimit të çështjes së Kosovës. Strategji politike e diplomatike kjo, me anë të së cilës arriti t´i hap dyert e qendrave ekskluzive të vendosjes së politikës botërore, madje edhe të atyre kancelarive, të njohura për antishqiptarizmin e tyre ndër shekuj dhe na i bëri miq të përjetshëm. Të gjitha punët i koordinonte me miqtë. “Shtëpia pa miq nuk mbahet, e miqtë duhet t`i ruajmë dhe të mos i zhgënjejmë”, –  shpehej shpesh Presidenti Rugova.

     Me vizionin e tij konstruktiv, projektoi një shtet të pavarur e demokratik, të integruar në BE, OKB, UNESKO, struktura të NATO-s e institucione relevante financiare, sportive e humanitare. Projektoi shtetin me të gjitha derivatet: flamurin, hymnin, shenja e simbole. Ishte para kastës së atëbotshme politike dhe oponentëve të vet, së paku, 10 vite! U paraprinte proceseve për Kosovën, me siguri e urti, qetë e pa bujë.

Nuk merrej me oponentët, kritikuesit, nuk hargjonte kohë as energji. Respektonte edhe mendimin kundër. Për çështje kruciale të vendit e kombit, për hirë të proceseve politike të Kosovës ishte tolerant dhe bashkëpunues, shumë pragmatik, krijonte koncesuesin gjithëkombëtar të partive politike e shoqërisë civile, të faktorëve relevantë dhe të oponentëve të Tij, që e dijmë çfarë i kishte.

     Profili i presidentit Rugova, si lider e politikan, në rrethanat e tanishme, sa do t`i duhej Kosovës?!

    Ishte triumfues në të gjitha zgjedhjet e organizuara politike, ku mori pjesë me LDK-në, edhe përkundër formulave penguese të OSBE-së dhe UNMIK-ut. Vjedhjeve industriale të votave, shantazheve e vrasjeve të bashkëpunëtorëve më të zellshëm e më të devotshëm të Tij. Ja dobësonin krahun, por, ai ishte i pathyeshëm. Fitimtar bashkë me popullin e Kosovës.

     Njeriu i simboleve; shallit, oxhakut, hymnit e flamurit, gurëve mineralë, që e kishte këthyer në ritual, duke u dhuruar miqëve, që e vizitonin Kosovën, përcillte një mesazh, se toka e Kosovës është e pasur. Zaten, edhe vet ishte gur i çmuar, brilant që vrau luftën me pëllumbat e paqes dhe u transformua në gurthemel të shtetit të pavarur të Kosovës.

     Në ditë të mira e të vështira, i qendroi besnik popullit të vet. E ndau fatin me popull dhe e udhëhoqi, duke e ruajtur substancën, si Mesia biblik.

     E, në prag të ngadhnjimit hyjnor, në prag të pavarësisë, më 21 janar 2006, si ëngjull fluturoi lart e, tani, prehet i qetë në amshim. Ndoshta nga atje na kundron, si po i çojmë përpara proceset e Kosovës?!

President, sot na mungon më shumë se kurrë! 

Shpresojmë e besojmë në vizionin dhe miqtë Tuaj.

Zoti e bekoftë Ibrahim Rugovën dhe Kosovën!”

.

      Monologun e titulluar “Hej Lahutë”, kushtuar Presidentit Rugova, e deklamoi Ibrahim Hoxha nga Shoqata “Shqiponja” e Rosenheimit.

     Reporteri i Luftës, Maxhun Smajli, tani, administrator i Bibliotekës Popullore “Mark Krasniqi”, në Pilsten, Bavari, foli për jetën dhe veprën e shefit të Qendrës Informative të Kosovës (QIK), Enver Maloku, bashkëpunëtor i afërt i Dr. Rugovës. Veç tjerash, ai tha: 

    “Unë ndodhësha në pikën më të nxehtë të planetit, ku shihja vetëm gjakderdhje. Rreth e rrotull era sillte zë klithme. Nëpër fshatrat e shkatërruara nga Tërnafci deri në Terdefc, pasi mbaroi një betejë e tmerrshme, ku kishin mbetur të vrarë qindra gra e fëmijë, pleq e plaka dhe luftëtarë të lirisë, nga Prishtina vjen lajmi i kobshëm; “ Pas një atentati në Bregun e Diellit, në spitalin e Prishtinës, ndërroi jetë, Enver Maloku!” Vrasja e tij ra si bombë në zemrat e njerëzve, të pllakosur nga mjerimi dhe që dridhëshin nga të ftohtit e natës së 11 janarit të 1999”.

     Nxënësja e skenës së gjithmonshme, Era Kolgeci, u prezantua me poezinë “E mbante një shall, sepse ai kishte një hall, Kosovën”, e cila u pëlqye dhe u duartrokitë shumë.


Kryetari i Nëndegës të LDK-së, në Nordheim Westfallen, Jakup Gërguri

     Moderatorja Fatbardha Nikçi fton në foltore, anëtarin e Kryesisë të Degës së LDK-së, në Gjermani, njëherësh, kryetar i Nëndegës të LDK-së, në Republikën e Nordheim Westfallen, Jakup Gërgurin, i cili referoi për jetën dhe veprën e këshilltarit të Dr. Rugovës, njeriun e letrave, Xhemajl Mustafën:

     “Xhemail Mustafa, gazetar, publicist e shkrimtar, u lind në fshatin Gllamnik të Podujevës në vitin 1954. Shkollën fillore e mbaroi në Gllamnik dhe të mesmën në Podujevë. Studjoi në Universitetin e Prishtinës, për gjuhë dhe letërsi shqipe. Që nga fundi i viteve shtatëdhjeta, për dhjetë vjet radhazi, punoi në gazetën “Rilindja”, si gazetar e redaktor i kulturës. Nga viti 1993 punoi në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK). Ishte kjo shtëpi informative, e cila, për herë të parë, me punën e Enver Malokut, Xhemajl Mustafes dhe veprimtarëve tjerë , ia kaloi Tanjug-ut, njëra ndër shtëpitë më të fuqishme informative në botë.

     Ne, të gjithë e kujtojmë Xhemajlin, si njeri me vlera të larta intelektuale dhe guximin e tij qytetar, sidomos në vitet e luftës në Kosovë. Xhemajl Mustafa kishte ca tipare që dallonte nga të tjerët. Që i ri, formësoi personalitetin e vet autoritativ, që respektohej nga të gjithë. Respektohej shumë, së pari, nga familja, nga të afermit, kolegët, nxënësit, nga të gjithë. Autoriteti i tij arriti aq sa edhe Presidenti Rugova, e ofroi në radhet e personave më me përgjegjësi rreth tij. Gjatë viteve të 90-a ishte një nga themeluesit dhe anëtarët e parë të Lidhjës Demokratike të Kosovës, ndërsa, nga viti 1997, e deri në vitin 2000, shërbeu si këshilltar i lartë politik i Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe zëdhënës për media. 

     Xhemajl Mustafa ishte i përndjekur politikisht nga pushteti i dhunshëm serb. Në vitin 1999 ishte më i zëshmi si gazetar, që kishte denoncuar pushtetin serb, për krimet çnjerëzore. Ai morri pjesë edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe ishte njëri ndër më të votuarit. I shpëtoi luftës dhe përndjekjes policore dhe ushtarake dhe aktivitetet i vazhdoi, duke u bërë edhe antar i kryesisë së LDK-së, ku u dallua si intelektual i shquar dhe një nga figurat më të spikatura të kësaj partie. Po ashtu, Xhemail Mustafa është autor i një libri me ese e kritikë letrare dhe të një libri shënimesh, për qëndrimin e tij në Prishtinë, gjatë luftës në Kosovë. Në pranverën e vitit 1999 botoi edhe librin e tij, në formën e një ditari me përshtypje, me titull “Një lutje për Prishtinën”, leximin e së cilës, lexuesi e përjeton fuqishëm.

       Xhemajl Mustafa gjatë gjithë kohës së Luftës qëndroi në Kosovë. Një ndër ditët (netët ) më të gjata ishte kjo, që rrëfen ai në veprën e tij: 

     “- A do të sulmojnë – më pyeti Ganiu (vëllai), kurse fëmijët e prisnin përgjigjen me ndjenjën e gëzimit të fshehtë. Nëna nuk ngurroi të thoshte se kishte frikë për mua, që isha deklaruar hapur pro sulmeve të Aleancës dhe kisha kërkuar publikisht, që goditjet nga ajri të shoqëroheshin me intervenimin e trupave tokësore.

– Po, do të sulmojnë që sonte, – thashë. Mbrëmë Solana ia ka kaluar urdhërin për sulme Klarkut. Ky i fundit e ka për detyrim që brenda 24 orësh të fillojë me sulmet nga ajri, kundër caqeve ushtarake e policore serbe – ia shpjegova vëllait, duke qenë krejtësisht i sigurtë se, vërtet, sulmet ajrore do të fillojnë që më 24 mars para mesnatës”

     Xhemajl Mustafa u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë. Deri sa po hynte në banesën e tij, ai u qëllua për vdekje, me armë zjarri nga dy persona, ku si pasojë të plagëve të marra, vdiq në klinikën spitalore. Ai ndërroi jetë në moshën 47 vjeçare. La pas gruan Bahrijen dhe fëmijët Besianin dhe Berianën.

     Vrasja e Xhemajl Mustafës është vrasja më makabre e pasluftës në Kosovë. Sepse është këputur jeta e njërës nga figurat më madhore kombëtare shqiptare të fillim shekullit 21, është shuar jeta e atdhetarit dhe intelektualit, mendimtarit e politikanit më të mprehtë, të urtë dhe nga më të dobishmit, për kauzën kombëtare dhe prosperitetin e shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht këto vlera ishin arsyeja e pezmatimit të kundërshtarëve politikë të LDK-së, të cilët ishin të vetëdijshëm se e kishin të pamundur marrjen e pushtetit, në konkurrencën me demokratët e profilit të Xhemajl Mustafës, që të vërtetën dhe drejtësinë e kishin vizion, për forcimin e kombit dhe përparimin e atdheut.

Prandaj, u qëllua Xhemajl Mustafa dhe shumë bashkëmendimtarë të tij, veprimtarët e devotshëm si: Enver Maloku, Ahmet Krasniqi, Smajl Hajdaraj, Ismet Raci, Ukë Bytyçi, Shaban Manaj, e shumë të tjerë, që kishin guximin dhe kurajën, ta thoshin të vërtetën dhe të punonin për të mirën e vendit.

     Vrasja e Xhemajl Mustafës është nga më tronditëset, sepse, ishte bashkëpunëtori me i afërt i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova dhe zëdhënësi më besnik i idealeve rugoviane. Prandaj, vrasja e Xhemajl Mustafës ka qenë e dyfishtë, sepse ia ka dobësuar krahun personalisht Presidentit Rugova.

     E gjithë kjo tregon se, vrasësit e Xhemajl Mustafës i përkasin kupolës antidemokratike shqiptare të Kosovës, nëntokës kriminale politike të majtizmit ekstrem të Kosovës, që, në luftën për pushtet, ka asgjësuar vlerat më të shenjta njerëzore të Kosovës. Këtë bindje e forcon propaganda dhe angazhimi intensiv i kuluareve të caktuara shtetërore, të cilat, jo vetëm që nuk janë angazhuar, për të zbardhur vrasjet politike, por, në vazhdimësi, kanë spekuluar në lidhje me vrasjen dhe vrasësit e mundshëm, me qëllim të fshehjes së krimeve. 

     Nuk ka fije dyshimi, se vrasësit sorollatën nëpër Kosovë lirshëm, të strehuar dhe të mbrojtur nga institucionet shtetërore, të cilave nuk u konvenon që t’i zbulojnë ata. Se vrasësit sot bëjnë jetë luksoze në Kosovë, si milionerë, dihet, ngase pikërisht për këtë arsye likuiduan Xhemajlin me bashkëmendimtarët e tij, sepse, po të ishin ata, Kosova nuk do dukej kështu. Xhemajli me Plejadën Rugoviste, nuk do lejonte që hisja e skamnorëve, e hallexhinjëve, të përfundojë në xhepat e kriminelëve vrasës e plaçkitës, hajna zyrtarë, që sot e kapën shtetin e Kosovës. Në Kosovë u vranë ëngjujtë, që të vallëzojnë djajtë. 

    Edhe nga kjo Akademi, bëjmë thirrje dhe, do bëjmë gjithëherë, që të kapën kriminelët e të vihën para Drejtësisë, ngaqë ua kemi borxh pasardhësve tanë, që mos u lëmë trashëgimi, ato probleme që na takojnë neve t`i zgjidhim.

    Ndjehem i nderuar të lexoj edhe një falenderim, nga vajza e Xhemajl Mustafes, për këtë Akademi:

    “Në emer të Familjes Mustafa, ju falenderojmë të gjithëve, dhe uroj, që sa më parë, të vihet Drejtësia, për të gjithë Aktivistët e vrarë të LDK-së.-Beriane Mustafa”. 

    Lavdi jetës dhe veprës të Xhemajl Mustafës”, – përmbylli fjalën e tij, kryetari i LDK-së për Nordheim Westfallen, Jakup Gërguri.

    Sërishmi në skenë pjesëtarë të grupit artistik. Kësaj here, Rinora Hoxha vjen me poezinë “Një shok i Presidentit i flet me vargje”.

          Akademinë e përshëndeti ish-kryetari i Nëndegës të LDK-së të Starnbergut, Gani Batatina dhe kryetari i Nëndegës të LDK-së në Landau an der Isar, Tefik Jaha. 

     Anëtari i Kryesisë të Nëndegës të LDK-së në Mynih, inxhinier Rexhep Nikçi, evokoi kujtimet, gjatë jetës studentore, në vitet `90-a, në Zagreb, përgjatë vizitave dhe takimeve të Dr. Rugovës, me studentët, ushtarakët shqiptarë dhe deputetët e strehuar në Kroaci.

     Akademinë e mbylli kryetari i LDK-së për Bavari, Idriz Zeqiraj, i cili përshëndeti pjesëmarrjen solide të mërgimtarëve tanë, në këtë përkujtesë fisnike si dhe në veprimtaritë tjera, që zhvillon Lidhja Demokratike në Republikën e Bajernit.

     Nëse stresi e dhimbja janë ndër shkaqet e sëmundjes kanceroze, me vrasjen e Sali Çekaj dhe Xhemajl Mustafës, kjo dozë është shtuar ke Presidenti Rugova. Binomi Çekaj – Mustafa, kishin edukatë supreme dhe ngjasonin në sjellje, me Dr. Rugovën, si vëllezër lindakë. “Të mallkuarit e Perëndisë”, ishte shkrimi i së martës, për “komandantët” vrasës dhe asaj jave, plumbat e të mallkuarëve, do ta shuanin Xhemën tonë ëngjull e urtak, – tha, mes tjerash, Zeqiraj.

    Për realizimin e kësaj Akademie, u angazhua Kryesia e Nëndegës të LDK-së në Mynih: Isuf Qetaj-kryetar, Xhevdet Gërvalla-nënkryetar, Blerim Cakiqi-sekretar, Naim Haxhijaj-zëvendëssekretar, Milaim Gërvalla-arkatar, Rexhep Nikçi, Abedin Kelmendi, Xhevdet Muriqi -anëtarë. Gjithashtu, pjesë e drejtëpërdrejtë e organizimit të Akademisë Përkujtimore, kushtuar treshës së lavdishme: Presidentit Rugova, Enver Malokut dhe Xhemajl Mustafës, ishin Qendra Kulturore “Rilindja” dhe Shoqata Kulturore Humanitare “Sali Çekaj”, me kryesitë e tyre komplete.

     Në fund, grupi muzikor, i prirë nga Nehat Idrizi, i biri i veprimtarit veteran, në Starnberg, Tefik Idrizit, kënduan dy këngë për Presidentin Rugova dhe bashkëpunëtorët e Tij.

Shpërndaje:
Loading...

Lajme të ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *