Kosova Lajmi Kryesor

Ekskluzive 3 – Dokumenti origjinal: Komisioni Meha mashtroi dhe krijoi kufi të ri, humbi 8.230 hektarë

Gazeta SHQIPTARI.com, boton pjesër origjinale të dokumentit për demarkacionin: Ja si u mashtrua dhe u fshehën dokumentet dhe u lajthit opinioni dhe miqtë ndërkombëtarë

k

1.    Analiza nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare

1.1.         Keqkuptimi dhe keqinterpretimi i së drejtës ndërkombëtare

 

Problemet, që kanë lindur nga Marrëveshja e nënshkruar për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, burojnë kryesisht nga ngutia, paaftësia dhe papërgjegjshmëria e ish- Komisionit Shtetëror.

Në fakt, akterët tanë politikë dhe profesionalë, që kanë qenë të përfshirë në çështjen e demarkacionit, ishin protagonistë ose viktima të një percepcioni të gabuar se çështjet lidhur me kufijtë duhet mbyllur sa më parë, sepse nga to varet ekzistenca ose konsolidimi i shtetit.

Sipas disave nga këta, “çështja e përcaktimit të kufijve është një kriter i shtetësisë”, sikurse Kosova të mos kishte pasur kufij me fqinjët. Për të argumentuar këtë, ata përmendnin Konventën e Montevideos, (1933), e cila, sipas tyre, precizon se shteti është i definuar,  nëse i ka këto elemente:

 

  • territorin e kufizuar;
  • popullatën e përhershme brenda territorit;
  • mënyrën e organizimit dhe të qeverisjes, dhe
  • kapacitete për të krijuar relacione ndërfqinjësore.

 

Ky tekst është përsëritur shumë herë në paraqitje të ndryshme të anëtarëve të ish – Komisionit dhe të personave të lidhur me të, në debate të ndryshme dhe në mjete të informimit publik, me qëllim që të krijohej përshtypja se këta udhëhiqen strikt sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Por, teksti i cituar tregon se këta jo vetëm se nuk e kanë njohur të drejtën ndërkombëtare, por as që e kanë cituar saktësisht dispozitën e Konventës për të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve (Montevideo, 1933). Sipas Konventës, shteti si subjekt (person) i së drejtës ndërkombëtare duhet të ketë:

  • popullsinë e përhershme;
  • territorin e përcaktuar;
  • qeverinë; dhe
  • aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtete të tjera.[1]

Bazuar në këtë, ish – Komisioni dhe akterë të tjerë, të përfshirë në këtë çështje, kanë përfunduar se çështja e demarkacionit është e ngutshme. Por, ajo që këta nuk kanë ditur, është se e drejta ndërkombëtare nuk kërkon që kufijtë e shtetit të jenë të përcaktuar saktësisht. Mjafton të ekzistojë një nukleus territorial i padiskutueshëm. Dhe për këtë ekzistojnë shembuj të shumtë në praktikën ndërkombëtare. Mjafton të përkujtojmë se shumica e shteteve të dala nga ish – Jugosllavia nuk i kanë të definuar saktësisht kufijtë e tyre, (Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi). Megjithatë, janë pranuar nga shumica e shteteve të botës dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Nga kjo del se qëndrimi i ish – Komisionit për nevojën “e përcaktimit të kufijve” është keqkuptuar dhe keqinterpretuar, sepse ndryshe nuk do të mund të shpjegohej njohja e Kosovës nga një numër aq i madh i shteteve, duke përfshirë këtu edhe shtetet më të rëndësishme të botës (SHBA, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlanda Veriore, Gjermania, Franca, Italia etj.). Këtë e vërteton edhe mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Për shtetet e dala nga ish – Jugosllavia, për Kosovën, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, rëndësi të veçantë ka qëndrimi nga “Deklarata për Udhëzimet për njohjen e shteteve të reja në Evropën Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik”, që e kishte miratuar Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, më 16 dhjetor 1991, me të cilën parashikohej se ato do të “respektojnë paprekshmërinë e të gjithë kufijve, të cilët mund të ndryshohen vetëm në mënyrë paqësore dhe me marrëveshje të përbashkët.[2]

1.2.         Kuadri ligjor për kufij

Sipas rregullave të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare, problematika e kufijve në mes të shteteve është çështje e së drejtës ndërkombëtare. Për to vlejnë rregullat që janë përgjithësisht të pranuara në të drejtën ndërkombëtare.

Në praktikë, kufijtë përcaktohen duke u bazuar në parimin natyror – gjeografik, historik, gjeopolitik, etnik (parimi kombëtar), strategjik, shoqëror – ekonomik dhe në rregullat, përgjithësisht të pranuara, të së drejtës ndërkombëtare.

Në pajtim me këtë, çdokush, që është i përfshirë në procese të përcaktimit të kufijve, duhet t’i njohë dhe t’i aplikojë rregullat e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk është çështje diskrecionale, por është diçka që vetvetiu nënkuptohet. Dhe, e kundërta: çdo mospërfillje e rregullave të së drejtës ndërkombëtare i dëmton interesat vitale të shtetit, kurse në çështje që kanë të bëjnë me territorin, kjo mund të jetë bazë për përgjegjësi.

 

1.3.         Kuptimi i termave delimitacion dhe demarkacion

 

Sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare, që iu referohen kufijve, demarkacioni është një çështje thjesht teknike, që nënkupton shënimin e kufirit në terren me vënien e shenjave në tokë ose në ujë (gurëve, shtyllave, piramidave, fenerëve ndriçues në liqene etj.), pra që ka kuptimin e fjalës “për të shënuar” ose “për të ndarë (përkufizuar)” hapësirat e dy shteteve fqinje, ose për të ndarë saktë hapësirat midis shteteve fqinje me vënien e shenjave kufitare.[3] .

Në gjuhën shqipe, ky veprim e ka kuptimin e përshënjimit të kufirit[4]. Në fjalorët e gjuhëve të huaja, fjala demarkacion e ka kuptimin e shënimit të kufirit, që në serbisht, kroatisht shprehet me fjalët “obelježivanje granica; obelježiti granicu; oblježavanje granične linije.[5]

Pra, fjala është jo për përcaktimin e kufirit in abstracto, por për shënimin e kufirit në terren. Ky operacion realizohet në bazë të përshkrimit të kufirit dhe hartave duke fiksuar pikat ku vija kufitare ndërron dukshëm drejtimin, në të cilat ngrihen shtylla ose shenja të tjera kufitare.

Në gjuhët më të rëndësishme të botës, delimitacioni dhe demarkacioni definohen si më poshtë.

Në anglishte: “The determination of frontiers (boundaries) in treaty documents is called delimitacion, their determination on the spot – demarcation; the latter is done by demarcation commissions establishing boundary signs (border markers)”[6].

Sipas Enciklopedisë të së drejtës ndërkombëtare, delimitacioni e ka kuptimin e përshkrimit të kufirit në dokument të shkruar, kurse demarkacioni nënkupton shënimin e tij në tokë: “Delimitation means the actual description of a border in written document. Demarcation means the actual marking on the ground. … In procedures for the determination and delimitation of borders, the question of evidence is often crucial. Maps play an important role.”[7] .

Në tekste të së drejtës ndërkombëtare në gjuhën serbe, kroate, delimitacioni ka kuptimin e përcaktimit të vijës kufitare (utvrdjivanje granične linije), kurse demarkacioni e ka kuptimin e përcaktimit konkret të vendndodhjes dhe të shënjimit të kufirit (konkretno lociranje i obeležavanje granice).[8]

Në praktikë ndodh që komisionet për demarkacionin e kufirit të autorizohen, se mund të largohen (të shmangen) nga vija kufitare, që është përcaktuar me marrëveshje me të cilën është bërë delimitacion, në rast se përshkrimi i vijës kufitare dhe hartat nuk kanë qenë mjaft precize, por vetëm deri në 500 metra, nëse këtë e arsyetojnë rrethanat vendore, gjeografike ose arsyet ekonomike.[9]

Por, edhe kur paraqitet nevoja e modifikimit të drejtimit të vijës fillestare, ndryshimet e tilla bëhen për disa metra dhe në bazë të parimit të barazisë. Në këto raste, komisionet e tilla zbatojnë parimin e kompensimit.[10]

Nga kjo shihet qartë se ka dallime qenësore në mes të delimitacionit dhe demarkacionit dhe këtë është dashur ta dinë presidentë, kryeministra, ministra të punëve të jashtme dhe ata, të cilëve u besohet të zhvillojnë biseda me përfaqësuesit e shteteve të tjera për çështje kufitare. Dhe, e kundërta, mosnjohja e këtyre dallimeve ka bërë që të ekzistojnë dallime në objektiva të proklamuar nga komisione te të dy shteteve, e që më vonë kjo është reflektuar në qasje të ndryshme ndaj bisedimeve dhe në vetë tekstin e Marrëveshjes.

1.4.         Kompetencat e ish – Komisionit

Sipas rregullave të përgjithshme, qëllimi i bisedimeve duhet të jetë i definuar qartë. Precizimi i kompetencave, si rregull, bëhet duke pasur parasysh që propozimi për fillimin e procedurës për zhvillimin e bisedimeve dhe lidhjen e marrëveshjes duhet të përmbajë bazën kushtetuese, vlerësimin e marrëdhënieve me shtetin përkatës, arsyet pse propozohet lidhja e marrëveshjes, çështjet kryesore, për të cilat bisedohet, respektivisht elementet qenësore që duhet të përmbajë dhe propozimin e qëndrimeve të delegacionit, që e përfaqëson shtetin në lidhje me ato çështje.

Por, në pyetjen tonë se a ka pasur marrëveshje për bisedime me Malin e Zi, Ministria e Punëve të Jashtme na është përgjigjur se: sipas Ligjit nr. 04/L – 052, “nuk parashihet të ketë marrëveshje me shtetin tjetër për të zhvilluar negociatat”. Prandaj, “proceduralisht, sipas ligjit respektiv, negociatat mund të fillojnë dhe zhvillohen vetëm pas miratimit të nismës konkrete, e cila mund të bëhet nga Qeveria”. “Pra, nuk ka nevojë për marrëveshje të caktuar në mes të shteteve, në mënyrë që të fillohet me bisedime, pasi që ky aspekt nuk është pjesë e procedurës ligjore për nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare”.

Nga kjo përgjigje shihet se Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Qeveria nuk dinë se: askush, që e përfaqëson shtetin, kurrë nuk shkon në bisedime pa u marrë vesh për çka do të bisedojë, madje edhe për mënyrën se si do të zhvillohen bisedimet. Përkundrazi, në të gjitha rastet e bisedimeve, atyre u paraprijnë përgatitjet e bisedimeve (bisedimet paraprake), pajtimi (marrëveshja) mbi nevojën e bisedimeve, pajtimi për rendin e ditës (marrëveshja për agjendën) dhe pajtimi (marrëveshja) për procedurën.

Dhe kjo është “marrëveshja për të filluar bisedimet”. Sipas kësaj, çdoherë “kur palët pranojnë që bisedimet janë të nevojshme dhe kushtet janë të favorshme, bëhet e mundur të diskutohet për agjendën e bisedimeve. Kjo lë të kuptohet se jo vetëm rënia dakord se për çfarë do të bisedohet, por edhe për renditjen, sipas së cilës do të merren në shqyrtim pikat e marrëveshjes”.[11]

Fatkeqësisht, kjo nuk ka qenë rast në marrëdhëniet e Kosovës dhe të Malit të Zi. Nga shkresat (vendimi për emërimin) dhe procesverbalet kuptohet se palët (Kosova dhe Mali i Zi) kanë pasur qëllime të ndryshme:

Kosova “të shënojë kufirin” me Malin e Zi (të bëjë demarkacionin), kurse Mali i Zi “të përcaktojë kufirin” me Kosovën, sikurse ai të mos ekzistonte (pra të bëjë delimitacionin).

Dhe kjo është parë që nga përcaktimi i mandatit të komisioneve përkatëse. Kështu, ish – Komisioni i Republikës së Kosovës ishte mandatuar për “Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror”, ndërsa mandati i Komisionit të Malit të Zi ishte përcaktuar të bëjë “razgraničenje i utvrdjivanje državne granice” e kjo nuk është “të bëjë shënjimin” (demarkacionin) e kufirit, por është “të caktojë“ apo “të vërë kufijtë“. Kjo dëshmohet nga të gjitha procesverbalet mbi bisedat në mes të delegacioneve të Kosovës dhe të Malit të Zi. Në procesverbale, delegacioni i Malit të Zi emërtohej “Komisija za obavljanje poslova razgraničenja i utvrdjivanja državne granice i pripremu za zaključenje medjunarodnih sporazuma o državnoj granici”, kurse ish – Komisioni ynë na paraqitet me emërtimin “Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror”.

 

Faksimili 1.  Emërtimet e komisioneve

 

Nga kjo shihet se Komisioni i Malit të Zi ishte autorizuar për të biseduar me delegacionin e Kosovës për përcaktimin e vijës ndarëse në mes të dy shteteve (në gjuhën e tyre “razgraničenje”), që është sinonim për delimitacion dhe që ka kuptimin e “përcaktimit të kufirit në mes të shteteve”.

Prandaj, Komisioni i Malit të Zi jo rastësisht ishte emërtuar: “Komisija za obavljanje poslova razgraničenja i utvrdjivanja državne granice …”, pra pikërisht ishte mandatuar për të bërë delimitacion. Por, në procesverbale nga bisedat e dy delegacioneve në gjuhën shqipe, Komisioni i Malit të Zi emërtohej si: “Komisioni për demarkacion dhe përcaktimin e kufirit shtetëror …”, që nuk i përgjigjet emërtimit në gjuhën malazeze. “Razgraničenje” nuk është demarkim, por ka kuptimin “për të ndarë”, “për të caktuar” ose “për të vënë kufijtë”.

 

Faksimili 2.  Emërtimi të komisioneve në Gjuhën Shqipe

 

Kjo ka sjellë një situatë befasuese, në të cilën protagonistët e Marrëveshjes ose nuk kanë ditur, ose kanë fshehur faktin se punët përgatitore për lidhjen e marrëveshjes dhe Marrëveshja e nënshkruar nuk kishin të bënin me demarkacionin, siç definohet në të drejtën ndërkombëtare. Këtë e dëshmon neni 4 i Marrëveshjes, që tregon se puna e ish – Komisionit dhe Marrëveshja kishin të bënin me përcaktimin e kufirit, kurse shënimi i kufirit ishte lënë për më vonë, për një periudhë dyvjeçare, pas hyrjes në fuqi te kësaj marrëveshjeje.

Në të gjitha këto procesverbale, Komisioni ynë është emërtuar “Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror”, kurse në tekstet në gjuhën malazeze “Državna komisija za obeležavanje i održavanje državne granice”.

1.5.         Mungesa e plotfuqishmërive

 

Në dokumentacionin e disponueshëm, nuk janë gjetur kopjet e plotëfuqishmërive dhe as shënime nëse ato janë shkëmbyer ose janë treguar nga kryesuesit e komisioneve të sipërpërmendura të Kosovës dhe Malit të Zi. Në këtë situatë, është dashur të kërkohen informata nëse ish-Komisioni ka qenë i pajisur me plotfuqi. Duke ju përgjigjur interesimit tonë lidhur me plotfuqinë, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, në letrën e datës 9 tetor 2017, ka shpjeguar se: “Komisioni ka pasur fuqinë e plotë të veprimit, në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, si dhe Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për themelimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.”

Nga vendimi për emërimin si dhe për vazhdim të mandatit të punës së ish – Komisionit dhe sipas procesverbaleve për bisedimet në mes të dy komisioneve, autorizimi i ish – Komisionit tonë kishte qenë ekskluzivisht të shënojë kufirin shtetëror. Ky autorizim do të duhej të ishte në plotëfuqishmeri (Full Power, punomočje), nëse janë dhënë nga shefi i shtetit ose nga ministri i Punëve të Jashtme. Plotfuqitë (punomočje; ang. special Full Powers; fr. pleins pouvoirs speciaux; span. plenos poderes especiales; rus. specialnie polnomoqija) janë akte me të cilat shprehet autorizimi i biseduesit dhe aftësia e tij që ta përfaqësojë shtetin plotvlefshëm. Këto jepen për shkak të rrezikut nga abuzimi i autorizimeve dhe magnitudës së dëmit, që mund të rezultojë nga kjo.

Autorizimi i tillë rregullisht saktësohet në plotfuqi dhe është dokument formal, që e lëshon autoriteti kompetent i një shteti, e me të cilin përcaktohet një ose më shumë persona që ta përfaqësojnë shtetin me rastin e bisedimeve, pranimin, vërtetimin e tekstit të një marrëveshjeje, të shprehin pajtimin e shtetit lidhur me marrëveshjen ose të kryejnë çfarëdo pune tjetër në lidhje me marrëveshjen (neni 2  dhe 7 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve).

Në pajtim me këtë, bisedimet në mes të shteteve për çfarëdo çështje fillojnë me shkëmbimin ose tregimin e plotfuqive, kurse ekzistimi i tyre është element qenësor për vlerën e traktateve. Për këtë arsye, në preambulën e marrëveshjeve rregullisht shënohet se biseduesit i kanë verifikuar plotfuqitë dhe konstatohet se ato kanë qenë në rregull. Por, edhe në këto raste, e drejta ndërkombëtare i lejon shtetit të refuzojë ratifikimin e marrëveshjes nëse ekzistojnë arsye të justifikueshme, si, p.sh.:

  • nëse janë tejkaluar kompetencat;
  • nëse biseduesit nuk u janë përmbajtur instruksioneve;
  • nëse marrëveshja është në kundërshtim me dispozitat kushtetuese;
  • nëse ka ekzistuar lajthimi i dyanshëm në lidhje me faktet relevante;
  • nëse është përdorur forca ose kërcënimi me forcë ndaj biseduesve;
  • nëse kanë munguar plotfuqitë;
  • nëse organi kompetent shtetëror refuzon të japë pëlqimin dhe
  • nëse opinioni publik e kundërshton etj. (që lidhet me rastin tonë konkret).

Duke u nisur nga këto, konsiderohet pa vlerë juridike cilido akt, që ka të bëjë me lidhjen e ndonjë marrëveshjeje, i bërë nga personi i paautorizuar, përveç nëse shteti e vërteton më vonë.

Nga kjo që u tha më sipër dhe nga përgjigjeja me shkrim të pranuara nga ministritë përkatëse, del se ish – Komisioni i ka tejkaluar kompetencat. 

1.6.         Tejkalimi i mandateve – abuzimi i autorizimeve

Në mungesë të plotfuqive, mandati i ish – Komisionit duhet nxjerr nga akte të tjera (nga vendimi për emërim ose vendimi për vazhdimin e mandatit dhe nga shkresa të ndryshme). Vetë Komisioni, në letrën dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, z.Enver Hoxhaj, më 17 dhjetor 2013, shkruante:

“Komisioni Shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror (më tutje Komisioni) ka për detyrë t’i shënojë kufijtë në terren, me shtetet fqinje, ashtu si ka qenë territori i Kosovës në periudhën e autonomisë brenda RSFJ. Edhe vendimi politik për shpalljen e pavarësisë së Kosovës njëkohësisht është alokim – delinjim i territorit të shtetit i bazuar në kufirin e vitit 1974”.

Kjo përsëritet pak a shumë edhe në Raportin e ish – Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror për Marrëveshjen e Shënimit të Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të datës 12. 6. 2015. Në Raport shkruan se Qeveria e Republikës së Kosovës kishte emëruar Komisionin Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, që ishte i “vendosur në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare”. Sipas shpjegimit të Komisionit, Pakoja e Ahtisarit është konsideruar marrëveshje ndërkombëtare, me të cilën “Territori i Kosovës do të definohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ashtu siç kanë qenë këto vija  kufitare më 31 dhjetor 1988”.

Në procesverbalin e datës 29. 4. 2013, thuhet: ”Gjatë negociatave për përcaktimin e linjës kufitare mes dy shteteve, duhet patur parasysh deklaratat e zyrtarve të lartë kosovarë dhe malazez”:

Në takimin zyrtar të ministrave të punëve të jashtme të Malit të Zi dhe të R. së Kosovës, z. Roqen dhe z. Hoxhaj, më 6. 8. 2011, mes të tjerash, është deklaruar: “ekziston pajtimi dypalësh që kufiri shtetëror është definuar në 1974, dhe demarkacioni do të jetë vetëm çështje teknike.”

Po ashtu, gjatë takimit zyrtar të ministrave të punëve të brendshme të Malit të Zi dhe të R. së Kosovës, z. Brajoviq dhe z. Rexhepi, me datë 21 qershor 2010, në Podgoricë, mes tjerash, është deklaruar: ”Kufiri administrativ, i cili ishte aktual në ish – Jugosllavi, konfirmohet si kufi shtetëror.”

Gjatë takimit zyrtar, më 8 prill 2013, në Podgoricë, mes ministrave të punëve të brendshme të Malit të Zi dhe të Kosovës, z. Konjeviq dhe z. Rexhepi, është deklaruar: ”Konfirmohet pajtimi dypalësh që përcaktimi i kufirit shtetëror mes Malit të Zi dhe R. Kosovës të jetë konfrom kufirit administrativ, i cili ishte përcaktuar në ish RSFJ, në vitin 1974…”

Nga këto dokumente shihet se ish – Komisioni e ka pasur të qartë se midis Kosovës dhe Malit të Zi kanë ekzistuar kufijtë administrativë, sikurse që kanë ekzistuar edhe midis të gjitha ish – njësive të federatës jugosllave (RSFJ), të cilët më vonë janë shndërruar në kufij ndërkombëtarë. Ajo që ka mbetur të bëhet pas pavarësimit të të gjitha njësive federale të ish – Jugosllavisë ka qenë demarkacioni ose shënjimi i vijave kufitare. Kjo detyrë (punë) është kryer pjesërisht, por kanë mbetur edhe plot të tjera, që presin të kryhen (kufiri Serbi – Kroaci; Kroaci – Slloveni; Kroaci – Mali i Zi etj.).

Ky dallim në të kuptuarit të detyrës tregon se Qeveria dhe ish – Komisioni është nisur nga prezumimi se ka ekzistuar një vijë administrative në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, e cila është shndërruar në kufi ndërshtetëror (sipas vendimit të Komisionit të Badinterit), kurse Komisioni i Malit të Zi është nisur nga po ky prezumim se ka ekzistuar ky kufij i vitit 1974, por në praktikë gjithnjë ka insistuar që përcaktimi i vijës kufitare të mbështetet, eksluzivisht, mbi bazën e kriterit kadastral, duke përjashtuar kriteret mbi të cilat u bazua përcaktimi i kufijve të brendshëm të ish – Jugosllavisë dhe çdo kriter tjetër relevant i së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë situatë, ish – Komisioni është dashur ta kishte të qartë se ajo që pretendon Komisioni i Malit të Zi është në kundërshtim me autorizimet e tyre dhe është dashur t’i ndërprejë bisedimet para se të harmonizohen objektivat, që pretendohen të arrihen, ose para se t’i ndryshohet mandati. Por kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, në një shkëmbim të letrave në mes të kryesuesve të komisioneve, z. Milan Paunoviq dhe z. Murat Meha, datë 4 janar 2013 dhe 15 mars 2013, Milan Paunoviq angazhohet për vazhdimin e bisedimeve lidhur me ndarjen (përkufizimin) në mes të Malit të Zi dhe Kosovës dhe kryerjen e punëve të përkufizimit dhe të konfirmimit të kufirit shtetëror (“nastavak pregovora u vezi razgraničenja izmedju Crne Gore i Republike Kosovo” dhe “obavljanje poslova razgraničenja i utvrdjivanja državne granice”), e Murat Meha pajtohet për “vazhdimin e bisedimeve lidhur me kufirin shtetëror”; “për kryerjen e punëve në përcaktimin dhe konfirmimin e kufirit shtetëror”; “identifikimin – konfirmimin e shtrirjes së vijës kufitare”; “përcaktimin (utvrditi) e shtrirjes së vijës kufitare në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, që do të jetë pjesë përbërëse e Marrëveshjes për kufirin shtetëror”; dhe për “përgatitjen e projektmarrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës (Pjesa tekstuale)”.

Kjo përgjigje e Murat Mehës dëshmon se ish – Komisioni është larguar nga mandati i besuar dhe ka pranuar kërkesën e palës malazeze që të bëhet përkufizimi (razgraničenje) i kufirit shtetëror. Por, për këtë Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kurrfarë njohurish, e as opinioni i gjerë s’ka ditur gjë. Pra, me këtë, ish – Komisioni ka bërë shkelje të rëndë, duke tejkaluar mandatin e dhënë në Vendimin e emërimit. (Vendimi nr.12/67 i datës 21. 3. 2012 dhe nr. 05/28 i datës 8. 5. 2015).

Në dokumentin e dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxha, më 17 dhjetor 2013, në pikën 4 “Sfidat kryesore për vijën kufitare”, theksohet: “sfida kryesore në vijën kufitare është paraqitur në zonën kadastrale Haxhaj dhe në vijën e rrugës Pejë – Rozhajë, vendi i quajtur Kulla. Për këtë është informuar ministri Hoxhaj, në takimin e datës 8 tetor 2013”, nga i cili është kërkuar mendimi për tejkalimin e kësaj sfide. Ndërsa në pikën 6 të këtij dokumenti kërkohet sugjerimi nga MPJ – ja, ku thuhet: ”Të veprohet me ndonjë ide të re nga MPJ, sipas supozimeve – Prima face, apo sipas dokumentacionit relevant ekzistues?”. Në dokumentacion nuk ka dëshmi se si është përgjigjur MPJ-ja, apo çfarë rekomandimesh ka marrë ish – Komisioni. Kjo është edhe një dëshmi se ish – Komisioni ka vepruar në bazë të instruksioneve verbale.

Nga dokumentacioni në dispozicion nuk kemi gjetur të dhëna se kush e ka autorizuar këtë shmangie nga mandati i dhënë. Kjo, gjithashtu, vërtetohet nga Raporti i ish – Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror për Marrëveshjen e Shënimit të Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të datës 12. 6. 2015. Në Raport theksohet: “Qeveria e Republikës së Kosovës … ka themeluar Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror” … dhe ka emëruar “Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e kufirit Shtetëror, të vendosur në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare”.

Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare është e qartë se bisedat dhe lidhja e marrëveshjes me Malin e Zi ka qenë në shpërputhje të plotë me qëllimet e proklamuara të autoriteteve kosovare dhe se për këto opinioni publik nuk ka qenë i informuar, e kjo vërtetohet edhe me injorimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, të datës 25 qershor 2015, e cila në paragrafin 3 parashikonte që: “Kryeministri Isa Mustafa të ndërmarrë masa që Komisioni Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi t’i bëjë sa më parë publike të gjitha diskutimet dhe çështjet e parashtruara nga pala malazeze”, si dhe në paragrafin 4, ku kërkohej nga “Qeveria të raportojë në Kuvend para miratimit të elaboratit ndërkufitar Kosovë – Mali i Zi”.

Faksimili 3. Rezuluta e Kuvendit të Kosovës

Madje, edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes fshihej fakti se është lidhur marrëveshje për kufi e jo për shënjimin e kufirit (demarkacionin). Demarkacioni i kufirit mbetej të bëhej më vonë.

Sipas Nenit 4 të Marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi: “Kufiri shtetëror ndërmjet palëve do të shënohet me shenja kufitare; Kufiri shtetëror ndërmjet palëve do të shënohet në periudhën prej dy vjetësh nga hyrja në fuqi e kësaj Marrëveshjeje”.  Sipas tekstit në gjuhën malazeze: “Državna granica izmedju Strana biće obilježena graničnim oznakama. Državna granica izmedju Strana obilježiće se u roku od dvije godine od stupanja na snagu ovog Sporazuma.” Teksti identik është edhe në gjuhën angleze. Aty shkruan: “The State border between the Parties shall be marked by border markings. The state border between the Parties shall be marked within a period of two years from the entry into force of this Agreement.”

Ky tekst tregon se Marrëveshja e lidhur nuk ka qenë marrëveshje për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, por ka qenë marrëveshje për kufij të rinj. Përkundër kësaj, shumë udhëheqës shtetërorë (presidentë, kryeministra, ministra, udhëheqës të partive në pushtet etj.), kanë vazhduar të përhapin përfytyrimin e gabuar për Marrëveshjen dhe i kanë sjellë në lajthim ndërkombëtarët për sa i përket karakterit të Marrëveshjes. Të gjithë këta kanë folur për marrëveshje për demarkacionin e kufirit e jo për marrëveshje për kufirin e ri. Kjo ka sjellë pasoja që shumë shtete dhe Bashkimi Evropian të insistojnë që Kosova ta ratifikojë këtë marrëveshje, sepse mendojnë se fjala është për marrëveshje për demarkacionin e kufirit, e jo për marrëveshje për përcaktimin e kufirit me të cilën vija kufitare është zhvendosur për 5 – 6 kilometra në brendinë e territorit të Kosovës në dy sektorët më të rëndësishëm të kufirit Kosovë – Mali i Zi (Çakorr dhe Kullë).

1.7.                   Inferioriteti profesional dhe politik i ish – Komisionit tonë

Procesverbalet nga mbledhjet e komisioneve shtetërore të Kosovës dhe të Malit të Zi shpërfaqin se kush dhe si e ka përfaqësuar Kosovën. Nga ato kuptojmë se të gjitha punët lidhur me punën e komisioneve i ka bërë Komisioni i Malit të Zi. Ky konstatim imponohet vetvetiu kur lexohet Raporti për zhvillimin e bisedimeve për përgatitjen dhe për lidhjen e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, (Izveštaj o vodjenju pregovora na pripremama za zaključivanje Sporazuma o državnoj granici izmedju Crne Gore i Republike Kosovo, Podgorica, april 2015. godine). Ky Raport është publikuar nga autoritetet malazeze në prill të vitit 2015.

Sipas Raportit: “Pala malazeze ka marrë për detyrë të përgatisë Projektin e Rregullores së punës për punën e përbashkët të komisioneve për kufirin Mal i Zi – Republikë e Kosovës dhe Projektin e Udhëzimeve të trupit të përbashkët të punës për dokumentacion dhe identifikim të vijës kufitare dhe për përgatitjen e dokumenteve kufitare” (Mbledhja e parë e komisioneve, 7. 11. 2012);

– Komisionet “janë dakorduar që z. Millan Paunoviq të përgatisë versionin fillestar të draftmarrëveshjes mbi kufirin shtetëror (pjesën juridike të marrëveshjes, për t’u dakorduar më tej)” (Mbledhja e dytë e komisioneve, 25 – 26 mars 2013);

– “Pala malazeze ka marrë për detyrë që, pas përcaktimit të shtrirjes së vijës kufitare në mes të dy shteteve, të përgatisë Projektin e pjesës juridike të marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, me qëllim të harmonizimit dhe përgatitjes për nënshkrim” (Mbledhja e katërt e komisioneve 28 – 29 maj 2013);

– “Pala malazeze i ka dorëzuar palës kosovare draft Marrëveshjen për kufirin shtetëror në mes të Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës, me qëllim të harmonizimit dhe përgatitjes për nënshkrim” (Mbledhja e gjashtë e komisioneve 9 – 10. IX. 2013);

– “Pala malazeze do të përgatisë, për harmonizim deri në mbledhjen e ardhshme, Udhëzimin e përbashkët për shënimin e kufirit shtetëror, mirëmbajtjen e vijës kufitare, shenjave kufitare dhe brezit përgjatë kufirit midis Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës” (Mbledhja e tetë e komisioneve, 12 nëntor 2013);

– “Pala malazeze do të përgatisë Draft Marrëveshjen në mes të Qeverisë së Malit të Zi, Këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për pikën ku takohet kufiri shtetëror në mes të Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, që është i shënuar me shenjën trekufitare dhe për mirëmbajtjen e tij” (Mbledhja e tetë e komisioneve, 12 nëntor 2013 dhe Mbledhja e njëmbëdhjetë e komisioneve, 14 shkurt 2014) etj.

Këto fragmente, që pasqyrojnë rrjedhën e punës së ish- Komisionit për demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, shpërfaqin:

  • inferioritet profesional dhe politikë;
  • mosnjohjen e rregullave mbi bisedimet midis shteteve;
  • mosnjohjen e rregullave elementare të së drejtës ndërkombëtare diplomatike dhe të përgjithshme;
  • mos respektim të rregullave të ligjit për Marrëveshjet ndërkombëtare dhe
  • ç’është më e keqja, pranimin e një raporti që fyen dinjitetin tonë shtetëror

Kjo ka bërë që ish – Komisioni i Kosovës të pranojë që bashkëbiseduesit (pala malazeze) të kërkojnë nga ta “të shpjegojnë“, “të deklarohen” etj., që janë shprehje normale në procese gjyqësore, por jo në biseda ndërmjet delegacioneve shtetërore, përjashto këtu Paqen Preliminare të Shën – Stefanit, Marrëveshjen e Brest – Litovskit, Paqen e Versajës, Kapitullimin e Munihut, ose ndonjë rast të ngjashëm me këto.

Por, gjëja më e keqe ka të bëjë me faktin se këta kanë biseduar me palën malazeze jo për demarkacionin e kufirit, por për “përcaktimin e shtrirjes së kufirit” dhe për “përgatitjen e propozimit të marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës”, që është fshehur nga Kuvendi dhe nga opinioni i Kosovës. Në procesverbale të Komisionit tonë përsëriten shprehjet: “përcaktimi i shtrirjes së kufirit” (Takimi i parë i komisioneve, 7. XI. 2012); “draft marrëveshja për kufirin shtetëror” (25 – 26. III. 2013; 9 – 10. IX. 2013; 14 – 15. X. 2013; 6 – 7. XII. 2013); “përcaktimi i drejtimit të vijës kufitare”, ose “i shtrirjes së vijës kufitare” (28 – 29. V. 2013); “drejtimi i shtrirjes së linjës kufitare” (9 – 10. IX. 2013) etj., që tregon se Komisioni ynë nuk është marrë me shënimin e kufirit, siç i paraqitej rregullisht opinionit të Kosovës, por ishte marrë me delimitacionin ose përcaktimin e shtrirjes së kufirit në mes të Malit të Zi dhe Kosovës. Këtë e dëshmojnë shprehjet, që janë karakteristike për delimitacionin, si, p.sh.: “përshkrimi tekstual i vijës kufitare”, “përshkrimi tekstual i shtrirjes së kufirit shtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, “përshkrimi dhe skicimi i linjës kufitare”, “përshkrimi në hartë“, “hartat topografike me linjën kufitare” etj.

Të gjitha këto tregojnë se ish – Komisioni ose nuk ka ditur cili është mandati i tij, ose me vetëdije është larguar nga mandati. Ata është dashur të dinë se demarkacioni është shënim i vijës kufitare në terren; se kjo bëhet duke u bazuar në përshkrimin e vijës kufitare dhe në harta topografike me vija kufitare; dhe se kadastri nuk është kriter i vetëm për caktimin e kufijve. Nëse këto janë të sakta, atëherë ish – Komisioni dhe ata që symbyllur e përkrahin punën e tij, ia kanë borxh opinionit që t’ia shpjegojnë, para se të na bindin për profesionalizmin e tyre dhe korrektësinë e punës së bërë, në cilin libër të së drejtës ndërkombëtare kanë gjetur rregullën “përgjithësisht të pranuar se kufijtë e dikurshëm kadastral… janë kufij shtetërorë”; se drejtimi i kufirit shtetëror përcaktohet “ekskluzivisht në bazë të dokumentacionit të vlefshëm kadastral” etj. (Sic ?!).

Rreth çështjes së kadastrit është mirë të konsultohet edhe mendimi i arbitrazhit në rastin e Sllovenisë me Kroacinë, në paragrafët nr. 347 dhe nr. 348, ku konfirmohet se kufijtë kadastralë është dashur të jenë në pajtim me kufirin administrativ – republikan. E nëse kufiri kadastral dallon nga kufiri administrativ – republikan, atëherë është kufiri kadastral që duhet përshtatur me kufirin administrativ – republikan dhe jo e kundërta. Gjithashtu, konfirmohet se kufiri kadastral nuk është mbizotërues automatikisht mbi ndonjë evidencë, që tregon se kufiri administrativ është mbi këtë parim.[12] 

 

1.8.         Injorimi i parimit Uti Possidetis

 

Në disa raste të përcaktimit të kufijve shtetërorë si kriter është marrë parimi Uti Possidetis. Me këtë parim kuptohet se kufijtë e një shteti, të cilët kanë pasur natyrë të kufijve administrativë, siç ishte rasti me shtetet e dala nga ish – Jugosllavia, transformohen në kufij ndërkombëtarë.

Në rastin e Kosovës, ish – Komisioni e ka shpërfillur parimin  Uti Possidetis dhe e ka përmendur në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë dhe me qëllim manipulimi, për të fshehur lëshimet gjatë procesit të vendosjes së kufirit të ri me Malin e Zi.

Ish – Komisioni nuk i ka përfillur njohuritë për përmbajtjen e Uti Possidetis, as për domethënien e tij në kontekstin e shënimit të kufirit të Kosovës në drejtim të Malit të Zi. Kjo përmbajtje mund të kuptohet vetëm atëherë kur të dihet qartë se asnjëherë dhe në asnjë rast në kontekstin ish – jugosllav nuk ka ndodhur vënia e kufijve të rinj në mes të republikave ish – jugosllave pa pasur një marrëveshje paraprake.

Në disa raste, pas zhbërjes së ish – Jugosllavisë, ka pasur komisione mikste ndërshtetërore për identifikimin e vijës kufitare, në kuadër të të cilave më pastaj janë themeluar dhe kanë funksionuar nënkomisionet mikste për shënjim të kufijve.

Ky nuk ka qenë rasti me ish – Komisionin, i cili ka pasur një detyrë krejtësisht administrative e teknike dhe me mandat të kufizuar, që nuk përfshin delimitimin, duke u nisur gabimisht nga premisa se ka një marrëveshje ndërkombëtare me Malin e Zi.

Siç dihet, Kushtetuta e Kosovës e vitin 1974 ka qenë bazë për ushtrimin e çdo aktiviteti publik brenda territorit të Kosovës deri më 31. 12. 1988, siç del edhe nga Plani i Ahtisarit, që dëshmon vazhdimësinë e përkufizimit territorial të Kosovës nga viti 1945-46 deri më 1974 (në pjesën e kufirit Kosovë – Mali i Zi).

Se cili ka qenë dhe është territori i Kosovës, dëshmohet me dokumente të tjera, që kanë rëndësi juridike dhe administrative, siç janë: aktet normative, hartat topografike (IGJU) dhe hartat e tjera të institucioneve të rëndësishme të kohës, me bazë ligjore të qartë të vijave administrative – politike për kufijtë e Kosovës.

Kjo përbën esencën e parimit Uti Possidetis në rastin e Kosovës, ashtu siç përcaktohet në formulimin e nenit 3.2 të Shtojcës VIII “Sektori i Sigurisë në Kosovë” të Planit të Ahtisarit.

Kufiri adminsitrativ në mes të Kosovës dhe Malit të Zi nga viti 1945 – 46 dhe deri më tani nuk ka ndryshuar. Në të vërtetë, para kësaj periudhe, gjatë kohës së Mbretërisë së Jugosllavisë, as Mali i Zi e as Kosova nuk kanë pasur identitet territorial administrativ – juridik me rëndësi kushtetuese juridike dhe ndërkombëtare.

 

Harta 1. Mbretëria e Jugosllavisë (1929-1939), ndarja administrative në banovina

 

 

Harta 2. Ndarja territoriale e Jugosllavisë nga 1941-1945.

 

Harta 3. Ndarja territoriale e Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore

.

[1] Këto kritere janë formuluar në nenin 1 të dokumentit. Sipas tij: “The state as a person of international law should possess the following qualifications: (a) a permanent population; (b) a defined territory; (c) government; and (d) capacity to enter into relations with the other states”.

 

[2] Supplement of Basic Documents to International Law and World Order, Third Edition By Burns H. Weston, Richard  A.. Falk and Hilary Charlesworth, St. Paul, Minn., 1997, pp. 111-112.

[3]  Prof. dr. Vladimir Ibler, Rječnik međunarodnog prava, Zagreb, 1972, str. 52-53, 68; Diplomaticeskij slovar, Tom I, Moskva, 1960 str. 406-407.

[4] Arben Puto, Terminologjia e së drejtës ndërkombëtare, Tiranë, 1970, f. 19.

[5] Bratoljub Klaiċ , Veliki rječnik stranih riječi, Zora, Zagreb, 1966, str. 252; Milan Vujaklija, Leksikon stranih reči i izraza, Prosveta, Beograd, 1986, str. 199.

[6] Manual of the Terminology of Public International Law (Peace) and International Organizations by Dr. I. Paenson, Bruylant, Brussels, 1983, pp. 154-155.

[7] Encyclopedia of Public International Law 10, Published Under the Auspicies of the Max Planck Institute for Comparative Public Law and International Law Under the Direction of Rudolf Bernhardt, North-Holland, Amsterdam * New York * Oxford * Tokyo, 1987, p. 20.

[8] Prof.dr Smilja Avramov – Prof. Dr. Milenko Kreca, Međunarodno javno pravo, Beograd, 2001, str. 363.

[9] Traktati i Paqes me Italinë, 1947, Kufiri jugosllavo-italian (neni 5), Milan Bartoš, Međunarodno javno pravo, II knjiga, Kultura, Beograd, 1956, str. 581-582; Delimitacioni i kufirit Francë-Itali, me Marrëveshjen e Paqes të 10 shkurtit 1947, William W. Bishop, Jr., International Law Cases and Materials, Third Edition, Boston and Toronto, 1971, p. 444.

[10] Charles Rousseau, Derecho Internacional Publico, Barcelona, 1966, p. 262.

[11] G. R. Berridge, Diplomacia – Teoria dhe praktika (Theory and practice), Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, f. 51—60; Dzof R. Beridz, Diplomatija – Teorija i praksa, Beograd, 2008, str. 59-68.

[12] “Pca Case No. 2012-04 In The Matter Of An Arbitration Under The Arbitration Agreement Between The Government Of The Republic Of Croatia And The Government Of The Republic Of Slovenia, Signed On 4 November 2009, Between – The Republic Of Croatia – And – The Republic Of Slovenia –

347 . This approach is consistent with the fact that, under the applicable municipal law, cadastral limists were required to conform to the boundaries of the republics, so that  if a cadastral limit diverged from the legal limits of the republic it was the cadastral limit, and not the republican boundary, that has to be adjusted…”

  1. “… but as a matter of internacional law they do not definitively constitute either the title or the boundary. … The cadastral limits do not have any inherent special status that entitles them to prevail automatically over any evidence that indicates that the administrative or political boundary of a republic is different from that of a cadastral district.” / Vijon
Shpërndaje:
Loading...

Lajme të ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *